I ftuar në emisionin e Top Talk, për të folur rreth krizës politike dhe protestave, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, foli rreth domethënies së deklaratës së kreut të PD, Lulzim Basha, i cili shprehet se ‘fjalët kanë mbaruar dhe se radhën e ka sovrani’.
“Nuk komentoj dot zotin Basha, por them se janë 7 protesta Kombëtare, njëra më e madhe se tjetra. Ato kanë pasur dinamikën e tyre, dhe disa të fundit janë bërë në formën e marshimit, ndërkohë që zemërimi i njerëzve është shumë i madh sepse kjo krizë nuk ka ardhur nga hiçi. Shqipëria sot është në krizë institucionale, pas 30 vjetësh kemi një sistem autokratik.
The Economist në sondazhin që bënte, e rendiste Shqipërinë në vendin 79, për Demokraci hibride, në kufijtë e autoritarizmit. Kemi një Parlament monist, në një farë kuptimi. Kemi një drejtësi, që sot nuk është funksionues, por e paralizuar kemi një situatë komplekse edhe në media dhe mbi të gjitha një krizë të madhe ekonomike.
Opozita duhet të mobilizojë dhe të udhëheqë të gjithë atë revoltë njerëzish, që fillon nga prekja e shtëpisë, rrogat, pensionet, dritat, ujin dhe të jetë një shpresë për shqiptarët. Këtu e ka zoti Basha, atë që thotë, se ‘tani është radha e sovranit’. Në fakt sovrani ka qenë në protestë, të cilat kanë qenë paqësore, por vetëm Sandri i gazit sheh njerëz të lënduar në protesta, dhe që mbyt me gaz qytetarët e këtij vendi”, argumenton Shpëtim Idrizi.