Kryesore Shpëtuan Dritan Dajtin nga burgimi i përjetshëm, SPAK do rihetojë tre gjyqtarët

Shpëtuan Dritan Dajtin nga burgimi i përjetshëm, SPAK do rihetojë tre gjyqtarët

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do të hetojë çështjen penale ndaj tre gjyqtarëve që pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin duke e kthyer dënimin e përjetshëm me 25 vite burgim.

Kërkesa për pushimin e çështjes erdhi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në fund dhjetori vendosi mesdrekën e 6 janarit rikthimin e çështjes për hetim nga Prokuroria e Posaçme ndaj 3 gjyqtarëve, Skënder Damini, Petrit Alija dhe Aleks Nikolli, të cilët akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin.

Pas nisjes së hetimeve, Policia ekzekutoi edhe një urdhër për kontroll të banesave të tre prej gjyqtarëve. Operacioni u zhvillua në 5 banesa të tre gjyqtarëve, në qytetet Tiranë, Vlorë dhe Lezhë dhe në atë kohë, në banesën e gjyqtarit Skënder Damini u gjet një shumë prej 20 000 eurosh. Ky i fundit, bashkë me gjyqtarët Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj kishin vendosur pro zbatimit të gjykimit të shkurtuar, ndërsa gjyqtarët Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha ishin shprehur pjesërisht kundër.

Në shkallën e parë, Dajti ishte dënuar me 1 burgim të përjetshëm, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar 4 të tilla. Të dy palët e kishin apeluar vendimin, në një nga çështjet më të zgjatura në gjykatat shqiptare. Deri në këto momente, me kohën e paraburgimit, Dajti ka shlyer gati 16 vite dënim.

Dritan Dajti u shpall fajtor për vrasjen e 4 efektivëve të policisë, gjatë një operacioni për arrestimin e tij në Durrës. Në atë ngjarje mbetën të vrarë policët Altin Dizdari, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feska. Ai ishte në kërkim pasi ishte dënuar për një tjetër vrasje të kryer në vitin 1999 në Tiranë, por në verë të vitit 2004 arriti të arratisej nga Gjykata e Tiranës.