Një pajisje e shpikur në Izrael, e cila gjeneron ujë nga ajri, është shpallur Produkti i Vitit në Las Vegas. Consumer Electronics Show (CES) ndan çdo vit çmime për produktet më të mira teknologjike shtëpiake.
I krijuar nga kompania e teknologjisë “Watergen”, sistemi i ri prodhon deri në 30 litra ujë të pijshëm për një shtëpi ose zyrë çdo ditë – duke zvogëluar dukshëm përdorimin e plastikës (shisheve).
Si funksionon saktësisht sistemi?
Së pari, ventilatori i integruar i “Watergen” tërheq ajrin në gjeneratorin e atmosferik të sistemit. Atje, një filtër i brendshëm pastron ajrin duke i hequr pluhurin dhe papastërtitë. Pasi të pastrohet, ajri drejtohet përmes procesit të shkëmbimit të nxehtësisë dhe ftohjes GENius, dhe kondensohet në ujë.
Uji pastaj filtrohet përsëri për t’iu hequr papastërtitë dhe shtuar mineralet dhe kthehet në ujë të freskët të pijshëm. Pasi të prodhohet, uji qarkullon vazhdimisht në një rezervuar të ndërtuar për të ruajtur freskinë e tij.
Uji i prodhuar nga GENNY është pra i një cilësie më të lartë se uji që kalon përmes sistemeve të filtrimit të bashkangjitur në linjat ujore komunale.
GENNY gjithashtu ka potencialin për të shërbyer si pastrues ajri, duke qarkulluar ajrin e pastër nëpër shtëpi përmes një ndarjeje të vogël në procesin e gjenerimit të ujit, kjo falë teknologjisë që ka në bazë një produkt që shërben për shumë qëllime.
“Misioni i kompanisë sonë është të eliminojë nevojën për t’u mbështetur në burime të jashtme për nevojat e jetës dhe për t’i ndihmuar njerëzit të bëhen më miqësorë me mjedisin”, thotë Dan Clifford, president i “Watergen” për Amerikën e Veriut.