Goditja me kokë e Armando Brojës në minutën e 58-të të ndeshjes së vlefshme për FA Cup përballë Preston, hapi ansamblin e golave për një fitore me 4 yje të Chelsea-t mbrëmjen e sotme.
Sulmuesi kuqezi pas ndeshjes ka folur për mikrofonin e BBC duke mos fshehur aspak gëzimin për golin e shënuar.
Broja ka pranuar se presioni mbi Blutë e Londrës është i lartë pas performancës jo pozitive në pjesën e parë të sezonit, por është shprehur se do të ketë gola të tjerë në të ardhmen.
“Momente të tilla janë ato që të bëjnë të lumtur dhe të sjellin një buzëqeshje në fytyrën tënde. Shumë njerëz nuk i shohin ditët e këqija. Ka shumë presion mbi shpatullat kur presin të shënosh çdo ndeshje. Mundohem t’i lë ditët e këqija të kalojnë dhe të shikoj përpara për ditët e mira. Sot ishte një nga ato ditët më të mira. Të vish nga pankina dhe të luash disa ndeshje dhe të mos shënosh nuk është e lehtë. Jam shumë i emocionuar dhe i lumtur që shënova atë gol sot. Shpresoj që të ketë shumë të tjerë në të ardhmen.”
Më tej ai ka vlerësuar ndeshjen e bërë nga shokët e ekipit, duke nënvizuar se është me rëndësi që Chelsea të mbajë ritmin pozitiv të dy ndeshjeve të fundit.
“Ishte një shfaqe e bukur. Luftuam pak në pjesën e parë për të gjetur golin, por edhe kundërshtarët po mbronin mirë. Pastaj bëmë ndryshime dhe goli i parë e hapi ndeshjen. Në fillim e patëm shumë të vështirë për t’i thyer. Ne jemi një skuadër shumë e re, të gjithë e dinë këtë. Kemi një ekip krejtësisht të ri me shumë lojtarë të rinj. Përpiqemi të lidhemi së bashku dhe është mirë ta ndërtojmë këtë gjë për shumë vite në vazhdim.”
Pas ndeshjes, ka folur për mediat angleze edhe trajneri i Bluve, Mauricio Pochettino, i cili vlerësoi lojën e 22-vjeçarit shqiptar. Argjentinasi i dërgoi një mesazh Brojës duke thënë se ai duhet të ketë besim në aftësitë e tij dhe të qëndrojë pozitiv.
“Një fitore shumë e mirë. Në pjesën e parë isha pak i zhgënjyer. E nisëm shumë keq. U thashë lojtarëve pas pjesës së parë që duhej të rrisnim energjinë dhe të bënim ndeshjen tonë me Preston. Unë mendoj se duhet të jetë e mahnitshme. Ai duhet të buzëqeshë, të jetë pozitiv dhe të ndryshojë gjuhën e trupit. Mendoj se kur të performojë mirë dhe të gjejë rrjetën, ai do të përmirësohet. Është e rëndësishme për ekipin dhe për të që të përmirësojë besimin e tij.”