Presidenti francez, Emanuel Macron, u qëllua me shpullë në fytyrë gjatë një vizite në juglindje të vendit. Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, Macon shihet teksa përshëndet turmën gjatë një udhëtimi në Tain-l’Hermitage.
Një prej njerëzve që prisnin të takonin Macronin, e qëllon atë me shpullë në fytyrë, duke bërtitur “Poshtë makronizmi”. Presidenti tërhiqet mbrapa, ndërsa rojet e tij ndërhyjnë.
#Macron se fait gifler en direct de #Tain pic.twitter.com/tsXdByo22U
— ⚜️ (@AlexpLille) June 8, 2021
Mediat franceze raportuan për dy të arrestuar.
Kundërshtarët e tij politikë dolën në krah të Macron, duke theksuar se “sulmi ndaj presidentit është një sulm ndaj Republikës sonë”.
Në të njëjtën kohë, Kryeministri Jean Castex tha se “përmes udhëheqësit të kombit, demokracia është ajo që vjen në vëmendje”.
Rasti të kujton një incident të ngjashëm të presidentit amerikan, George Bush, gjatë vizitës në Irak në vitin 2008. Gazetari iraken, Muntadhar al-Zaidi, i hodhi të dy këpucët e tij në drejtim të Presidentit të Shteteve të Bashkuara gjatë një konference për shtyp.
Presidenti francez ruhet nga Grupi i Sigurisë për Presidencën e Republikës, që njihet me shkurtesën GSPR. Kjo njësi është ngritur në vitin 1983 dhe përbëhet nga 77 shoqërues meshkuj dhe femra që e mbrojnë atë gjatë eventeve në publik. Sipas kanalit francez BFM, gjatë vizitës në të cilën u shënua incidenti, Macron shoqërohej nga 10 pjesëtarë të kësaj njësie.