Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka dalë sot në një konferencë për mediat, mbi treguesit ekonomikë.
Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj ka thënë se Ministria e Financave pret që rritja ekonomike për vitin 2023 të shkojë në nivelin 3.7%.
Delina Ibrahimaj: “Sektori i ndërtimit ka vijuar të japë një kontribut pozitiv në 4,5% në tremujorin e parë të vitit. Dega e tregtisë me shumicë ka rezultuar me rritje në 3,52%, ku performancën më të lartë pozitive e ka pasur sektori i transportit. Kemi pasur një ecuri pozitive dhe në nëndegën e shërbimit ushqimor, që është rritur me 7,2 % në tremujorin e parë të vitit dhe nëndega e tregtisë është rritur me 5,5%. Rritja në sektorin e informacionit dhe komunikacionit, 6.29%. Nga ana e shpenzimeve, prodhimi i brendshëm bruto, konsumi final i popullatës ka vijuar të jetë në rritje. Presim që rritja ekonomike të vazhdojë, për vitin 2023 të shkojë në nivelin 3.7%”.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj ka folur me shifra konkretë përsa i përket turizmit duke thënë se numri i të huajve që vizitojnë Shqipërinë është rritur me 22.5%.
Delina Ibrahimaj: “Për 5-mujorin e vitit 2023, numri i shtetasve të huaj të futur në Shqipëri është rritur me 22.5 % ose kemi pasur 2,4 milionë qytetarë të huaj të hyrë në vend. Rreth 700 mijë më shumë se vitin e kaluar. Kjo tregon se politikat tona për nxitjen e sektorit të turizmit kanë pasur efektin e duhur. Numri i turistëve në Shqipëri është rritur. Turizmi ka vijuar të jetë një dukuri e shpërndarë në të gjithë vitin. Presim që për 3-mujorin e dytë dhe të tretë, turizmi dhe aktivitetet e lidhura me të, të kenë një performancë pozitive. Investimet e huaja direkte kanë vijuar të kenë pasur një trend rritës. Ata kanë qenë të shpërndarë në të gjithë sektorët e Ekonomisë”.
Delina Ibrahimaj deklaroi se është shqetësues forcimi i lekut ndaj euros.
“Turizmi, investimet e huaja direkte dhe remitancat lidhen me shqetësimin kryesor të kohëve të fundit që ka ardhur nga ecuria e kursit të këmbimit. Gjatë vitit 2023 kemi pasur një forcim të ndjeshëm të lekut kundrejt monedhave kryesore, euros dhe dollarit. Siç kemi shpjeguar më parë, forcimi i lekut ndaj euros vjen si pasojë e strukturës së ekonomisë dhe performancës së saj, sidomos me forcimin e eksporteve dhe rritjen e investimeve të huaja direkte, që kanë sjellë kapitale në valutë. Kjo dukuri vjen si pasojë edhe e regjimit të kursit të këmbimit që ne kemi, që në 3-vjeçarin e fundit, që kemi pasur goditje të njëpasnjëshme të ekonomisë, ka ndikuar pozitivisht në absorbimin e goditjeve që ekonomia jonë ka pësuar”, tha Ibrahimaj.
“Kursi fleksibël i këmbimit ka bërë që inflacioni i importuar të ketë një ndikim më të ulët”, shtoi Ibrahimaj.