Shqipëria dhe Italia nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi mes institucioneve të kulturës të dy vendeve, por edhe në arsim, sport dhe programe rinore.
Për palën shqiptare marrëveshja u firmos nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe për Italinë nga ministri i Kulturës i vendit fqinj, Dario Franceschini.
“Si ministre e Kulturës jam krenare që sot ngritëm një tjetër urë komunikimi me shtetin fqinj, Italinë. Bashkë me ministrin italian të Kulturës, Dario Franceschini firmosëm një program të shëndoshë trevjeçar bashkëpunimi mes institucioneve të kulturës të dy vendeve tona, por edhe në arsim, sport e rini, ku mësimi i gjuhëve përkatëse në institucionet arsimore dhe vendosja e lidhjeve mes të rinjve janë shumë të rëndësishme”, tha Margariti.
Sipas ministres, ky program parashikon bashkëpunime në muzikë, teatër e vallëzim, arte pamore përmes ekspozitash të artistëve tanë apo fonde të galerive; përfaqësime në festivale dhe aktivitete të ndryshme ndërkombëtare.
“Po ashtu marrëveshja parashikon binjakëzime institucionesh; bashkëprodhime kinematografike; shkëmbime eksperiencash dhe specialistësh në trashëgimi kulturore, arkeologji, restaurim, muzeologji, binjakëzime mes teatrosh dhe universitetesh”, nënvizoi Margariti.
Qëllimi i projektmarrëveshjes është zhvillimi me efikasitet i bashkëpunimit dhe shkëmbimeve në sektorin e kulturës, arsimit, sportit dhe rinisë, fuqizimi dhe intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore; mbështetja e vlerave dhe modeleve kulturore; promovimi i njohjes së ndërsjelltë dhe konsolidimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në fushën e kulturës marrëveshja ka si qëllim bashkëpunimin në fushat e trashëgimisë kulturore duke mbështetur kontaktet dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet studiuesve dhe publikimeve nga institucionet e specializuara si dhe organizimin e ngjarjeve që promovojnë misionet arkeologjike italiane në Shqipëri; organizimin e programeve të përbashkëta për forcimin e kapaciteteve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe të arkeologjisë.
Ndërsa në fushën e arsimit, bashkëpunimi ka për qëllim promovimin e përhapjes së gjuhëve dhe kulturave përkatëse në vendin tjetër edhe përmes katedrave dhe lektorateve pranë Institucioneve të arsimit të mesëm dhe Institucioneve të arsimit të lartë; shkëmbimi i librave, materialeve mësimore për mësimdhënien e gjuhëve përkatëse dhe informacione mbi risitë e përftuara në sektorët pedagogjik dhe mësimor, në kufijtë e burimeve të disponueshme.
Po ashtu, marrëveshja ka si qëllim promovimin dhe përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe në shkollat italiane dhe asaj italiane në shkollat shqiptare; ofrimin e bursave të shkëmbimit për studentë dhe studiues; shkëmbimin e delegacioneve, të atletëve, trajnerëve dhe ekspertëve të tjerë sportivë;mundësinë për binjakëzim mes Institucioneve të arsimit parauniversitar shqiptare dhe italiane; vijimësia e bashkëpunimit jo vetëm përmes programeve aktuale ekzistuese në Evropë për lëvizjen, duke iu referuar veçanërisht programit Erasmus dhe për kërkimin referuar programit Horizon Europe, por edhe duke mbështetur në rrafsh evropian përftimin e programeve të reja të mundshme të përbashkëta.