Arrigo Sacchi, një prej emrave më të mëdhenj të historisë së trajningut e parashikon të vështirë ndeshjen Itali-Shqipëri që do të luhet më 15 Qershor në Euro 2024.
“Me keq se kaq, Italisë nuk mund t’i binte. Nëse Italia do ta marrë lehtë, do ta paguajë. Spalletti është një strateg. Jam i sigurtë që kundër Shqipërisë do të jetë një ndeshje e vështirë, shpresoj që të punojnë mirë. Këshilla është që duhet të luajnë si një skuadër. Shqipëria ka lojtarë të mirë. Kam parë Shpendin e Cesenas. Është Interesant.”
Trajneri i trofeve dhe Milanit të madh është në Tiranë si i ftuar për të prezantuar një ekspozitë në nder të ish-futbollistit italian, Paolo Rossi, kampion bote në vitin 1982 që do të çelet vitin e ardhshëm në kryeqytet. Kryeministri i vendit Edi Rama, tha se do të jetë një moment interesant edhe për të rinjtë që të përjetojnë pak nga historia.
“Nuk do të jetë thjeshtë një ekspozitë, sepse behet fjalë për një ekspozitë me karakter historik e mbushur plot me kujtime dhe jetë. Do të kemi objekte të legjendave të mëdha si Maradona, Pele dhe disa të tjerë dhe sigurisht që do te jetë interesante edhe për të rinjtë.”
Ekspozita mbi jetën e ish-futbollistit të kombëtares italiane, Paolo Rossi do të çelet më 26 Janar në Muzeun Historik Kombëtar në kryeqytet.