Aktualitet Shqipëri-Mali i Zi, menaxhim të përbashkët të peshkimit në liqenin e Shkodrës...

Shqipëri-Mali i Zi, menaxhim të përbashkët të peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave të Malit të Zi, Vladimir Joković, nënshkruan sot në Podgoricë, dy marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi në fushën e bujqësisë: “Për Mbrojtjen e Bimëve” dhe “Menaxhimin e Përbashkët të Qëndrueshëm të Peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna”.

Ministrja Krifca tha se, marrëveshja ka për qëllim angazhimin e përbashkët të dy vendeve, për të mbështetur dhe zhvilluar burimet e peshkimit përmes rregulloreve të harmonizuara të peshkimit, masave menaxhuese dhe mbrojtëse të bashkërenduara për peshkun dhe peshkimin.

“Fokus i bashkëpunimi mes dy vendeve është sigurimi i peshkimit të qëndrueshëm nga pikëpamja mjedisore, ekonomike dhe sociale, teksa nxisin një industri dinamike peshkimi me standarde zhvillimi për komunitetet e peshkatarëve”, theksoi Krifca.

Marrëveshja e dytë “Për Bashkëpunimin në Fushën e Mbrojtjes së Bimëve”, ka në fokus nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve për të përmirësuar mbrojtjen e territoreve nga ndërhyrja e dëmtuesve të karantinës së bimëve si dhe lehtësimin e tregtisë së ndërsjellë në shkëmbimin e bimëve dhe produkteve bimore.

“Mbi bazën e kësaj marrëveshje çdo ngarkesë për eksport, e cila i nënshtrohet inspektimit fitosanitar, duhet të shoqërohet nga një certifikatë fitosanitare e përpunuar sipas modelit të përcaktuar në Konventën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Bimëve dhe e lëshuar nga autoriteti kompetent i Palës Kontraktuese”, u shpreh Krifca.

Në mbledhjen e dy qeverive, ministrja Krifca vuri në dukje se “bashkëpunimi në favor të popujve tanë është instrumenti i vetëm me të cilin mund ti bëjmë ballë dallgëve të ndryshme të tregjeve dhe gjeopolitikës ndërkombëtare të cilat bëhen gjithnjë e më të paparashikueshme”.

Ministrja theksoi se, mes vendeve të rajonit ka një rritje të bashkëpunimit të marrëdhënieve tregtare falë kësaj qasje.

“Në sajë të marrëveshje të realizuara për Ballkanin e Hapur, në më pak se një vit tregtia mes 3 vendeve pjesëmarrëse është rritur mbi 50% në vlerë dhe mbi 20% në sasi”, tha Krifca, teksa nënvizoi se falë qasjes bashkëpunuese me Malin e Zi po shkëmbejmë gjithnjë e më shumë produkte me vlerë të shtuar, me një volum tregtar të rritur në mënyrë konstante, 37% krahasuar me një vit më parë.

Sipas saj, potencialet e vendit janë edhe më të mëdha. “Ndaj sot firmosim dy marrëveshje të cilat e rrisin me tej ndërveprimin dhe bashkëpunimin”, deklaroi Krifca.

Marrëveshjet u nënshkruan gjatë Takimit të Dytë Ndërqeveritar (G2G2) që po zhvillohet midis qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi.