Sot kujtohet rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë (më 15 mars 1991), pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh.
Në kujtim të kësaj date, Ambasada e SHBA-së në Tiranë sjell në kujtesë ceremoninë historike të vitit 1991 për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili rivendoste marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.
“Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze Rejmond G.H. Saitc, tha: “Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti Udrou Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve”, kujton ambasada.
Edhe ish-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati kujtoi sot 28-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i japin Shqipërisë në proceset demokratizuese dhe reformat e sundimit të së drejtës në ekonomi. Si partnerë strategjikë dhe aleatë në NATO bashkëveprojmë në fronte dhe misione ndërkombëtare të rëndësishme dhe bashkëndajmë sfidat e sigurisë në planin rajonal”, tha ai.