Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thellojnë bashkëpunimin për luftën kundër terrorizmit.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili synon zbatimin e ligjit të Regjistrimit të Emrave të Pasagjerëve në Shqipëri dhe si dhe thellimin e bashkëpunimit amerikano-shqiptar për ligjzbatimin dhe luftën kundër terrorizmit.
Përdorimi i të dhënave mbi udhëtarin është një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të Shqipërisë për të kontrolluar ata që kërkojnë të hyjnë ose të dalin nga Shqipëria, përfshirë terroristë, kriminelë kalibri dhe aktorë të tjerë keqdashës, për t’i penguar ata që të udhëtojnë, në harmoni me detyrimet e saj ndërkombëtare, bën të ditur ambasada e SHBA.
Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Shqipërinë për angazhimin e saj të vazhdueshëm në përmirësimin e sigurisë kufitare për të ndalur lëvizjet e terroristëve në kuadër të luftës botërore kundër terrorizmit dhe e mirëpresim këtë bashkëpunim të ri, thekson ambasada e SHBA.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shprehet se ky bashkëpunim është një hap tjetër drejt thellimit të partneritetit strategjik me SHBA, i cili sjell më shumë siguri për qytetarët dhe pak hapësirë për veprimtaritë kriminale.
“Së bashku me Ambasadoren e SHBA Yuri Kim nënshkruam sot një marrëveshje të rëndësishme mes qeverive të Shqipërisë dhe të SHBA, e cila zgjeron më tej mundësitë dhe kapacitetet e bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit dhe terrorizmit”, shprehet Lleshaj.
“Ky është një hap tjetër drejt thellimit të partneritetit strategjik me SHBA, i cili sjell më shumë siguri për qytetarët dhe pak hapësirë për veprimtaritë kriminale dhe terroriste.
Çdo hap përpara në fushën e sigurisë është njëkohësisht një hap përpara edhe në rrugën e integrimit europian të vendi”, tha Lleshaj.