Ekonomi Shqipëria bëhet pjesë e sistemit unik europian të pagesave, Rama: Miliona euro...

Shqipëria bëhet pjesë e sistemit unik europian të pagesave, Rama: Miliona euro të kursyera

Shqipëria është bërë sot pjesë e sistemit unik europian të pagesave. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social “X”, ku shkruan se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 Janari 2025.

Kryeministri Rama e quan këtë një hap tjetër të madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian teksa shton se do të jenë miliona Euro të kursyera nga detyrimet mbi dërgesat falë rritjes së besimit tek Shqipëria dhe afrimit të mëtejshëm të vendit drejt majës së anëtarësimit në BE.

“Një tjetër hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik europian të pagesave, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 Janari 2025. Miliona e miliona EURO të kursyera nga detyrimet mbi dërgesat, falë rritjes së besimit tek Shqipëria dhe afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë drejt majës së anëtarësimit në BE”, shkruan Rama.