Politika Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Kreu i shtetit, Bajram Begaj thekson se një reagim i tillë shton rrezikun për përshkallëzim të luftës në Lindjen e Mesme, e për rrjedhojë do duhet të ndërhyhet menjëherë.

“Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit dhe shpreh shpresën se nuk do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe të ketë efekte të pakthyeshme në një shkallë më të gjerë”, thuhet në reagim.

Bota dënon ashpër sulmin hakmarrës të Iranit

Liderët botërorë kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin hakmarrës ndaj Izraelit disa duke akuzuar hapur Teheranin. Një pjesë e tyre kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje në Lindjen e Mesme.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres kërkoi ndalimin e menjëhershëm të armiqësive në Lindjen e Mesme.

“U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale për të shmangur çdo veprim që mund të çojë në konfrontime të mëdha ushtarake në fronte të shumta në Lindjen e Mesme”, tha Guterres në një seri postimesh në X.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau tha se sulmet “dëshmojnë edhe një herë shpërfilljen e regjimit iranian për paqe dhe stabilitet në rajon. Kanadaja mbështet të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij nga këto sulme.

Kina shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin aktual duke shtuar se ishte një përhapje e konfliktit dhe një armëpushim duhet të zbatohet pa vonesë. Pekini u bëri thirrje palëve përkatëse të ushtrojnë qetësi dhe vetëpërmbajtje.

Pakistani tha se sulmet ishin pasojat e prishjes së diplomacisë. Arabia Saudite, një rival i madh rajonal i Iranit, theksoi rëndësinë e parandalimit të çdo përkeqësimi të mëtejshëm të krizës, duke paralajmëruar pasoja të rënda.

Ministria e Jashtme e Egjiptit i quajti zhvillimet e fundit një përshkallëzim të rrezikshëm dhe tha se nuk janë asgjë tjetër veçse një rezultat i drejtpërdrejtë i asaj që Egjipti ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur, në lidhje me rreziqet e zgjerimit të konfliktit në rajon. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se vendi i tij “është gati për çdo skenar”.

“Në vitet e fundit, e sidomos në javët e fundit, Izraeli është përgatitur për një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani. Shteti i Izraelit është i fortë”, tha ai.

Mes të tjerash edhe Kryeministri britanik, Rishi Sunak, tha se sulmet e Iranit rrezikojnë të destabilizojnë rajonin.

“Irani ka dëshmuar edhe një herë se do të shkaktojë kaos në oborrin e tij”, tha ai.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell si dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e kanë dënuar sulmin në termat më të ashpër dhe e kanë konsideruar si një “përshkallëzim të paprecedentë” dhe një kërcënim të rëndë për sigurinë rajonale.

Rivali republikan i Bidenit Donald Trump, iu referua sulmeve ajrore në një tubim në Pensilvani, duke kritikuar rivalin e tij demokrat.

“Ata janë nën sulm tani. Kjo sepse ne tregojmë dobësi të madhe. Kjo nuk do të ndodhte, dobësia që kemi treguar, është e pabesueshme dhe nuk do të kishte ndodhur nëse do të ishim në detyrë”, u shpreh Trump.

Presidenti i SHBA Joe Biden do të mbajë një takim me liderët e G7 për të koordinuar një përgjigje diplomatike ndaj atij që ai e quajti sulmin e pacipë të Iranit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se Amerika nuk kërkon konflikt me Iranin, por nuk do të hezitojë të veprojë për të mbrojtur forcat amerikane dhe për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së është caktuar të mblidhet pasditen e së dielës pasi Izraeli kërkoi të dënohet sulmi i Iranit dhe Garda Revolucionare e Iranit të caktohet organizatë terroriste.