Nga zona kufitare e Konicës, ku u ndodh për festimet e 106-vjetorit të çlirimit të saj nga zgjedha osmane, presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopoulos ka dërguar mesazhe për unitet në çështjen e temave kombëtare, si dhe ndaj fqinjëve të vendit.
Sa i përket Shqipërisë, Pavlopoulos ka theksuar se Greqia nuk kundërshton perspektivën europiane të Tiranës, por ka shtuar se një perspektivë e tillë kërkon si kusht të vetëkuptueshëm respektimin e plotë dhe të sinqertë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe Europiane, pra respektimin e të gjitha të drejtave themelore të njeriut, duke iu referuar edhe njëherë çështjes çame.
“Nuk nënkuptohet perspektivë, ecuri e Shqipërisë fqinje drejt zonës europiane, kur për fat të keq, ende edhe sot nuk i ka hedhur tej ato kërkesa të pakonceptueshme të gjoja të drejtave të çamëve kriminelë, bashkëpunëtorë të nazistëve. Çfarë duhet të bëjmë, t’u japim të drejtë bashkëpunëtorëve të nazistëve?! Jemi absolutisht të sinqertë, qëndrimi ynë nuk ka asgjë hakmarrëse. Qëndrimi ynë kërkon respektin e së drejtës dhe të historisë”, tha Prokopis Pavlopoulos.
Edhe ndaj Maqedonisë së Veriut, Pavlopoulos ka kërkuar zbatimin e plotë të “Marrëveshjes së Prespës”, ndërsa ka çuar mesazh edhe drejt Ankarasë, duke kërkuar prej të gjithë grekëve të mos ketë përçarje dhe ndasi për çështjet kombëtare.