Aktualitet “Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të marrin vaksina nga BE”

“Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të marrin vaksina nga BE”

Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor mund të furnizohen me vaksina anti-COVID, sapo të nisë shpërndarja në shtetet e Bashkimit Evropian. Këtë e pohon Komisioneri Evropian për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili përmes një postimi në Twitter thotë se BE po punon për arritjen sa më shpejt të këtij objektivi. Varhelyi shprehet se aktualisht po përcaktohen fondet e posaçme për këtë qëllim, ndërsa thekson se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

BE pritet të furnizojë me vaksina Shqipërinë dhe vendet e rajonit përmes nismës COVAX, përmes të cilës vendet e pasura do t’u dërgojnë vaksina shteteve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, vaksinimi do të nisë brenda datave 27, 28 dhe 29 Dhjetor. Qeveria greke njoftoi se do ta nisë vaksinimin që në datën e parë, ndërsa brenda 26 Dhjetorit pritet që të gjitha vendet të jenë furnizuar me dozat e para për shtresat e rrezikuara.

Në Gjermani, kancelarja Merkel tha se vaksina nuk do të jetë e detyrueshme. Ashtu si në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, vaksinimi do të nisë me produktin e firmave Pffizer/BioNTech që pritet të marrë aprovimin e agjencisë evropiane të barnave brenda pak ditësh. Në Shtetet e Bashkuara është çështje orësh që të jepet leja urgjente e përdorimit për vaksinën e dytë të firmës Moderna.