Shqipëria do të marrë vaksina edhe nga Kina. Blerja e vaksinave nuk është bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë me Republikën Popullore të Kinës, por nëpërmjet distributorit turk “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”.
Në Fletoren Zyrtare është publikuar këtë të martë akti normativ që miraton tekstin e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar turk “Keymen ilaç Sanayi ve ticaret” a.ş. për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër Covid-19 (vero cell) Coronavac, të krijuar nga Sinovac life Ccience co ltd. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës.
Kjo kontratë është hartuar në të njëjtën mënyrë si me vaksinat nga kompania Pfizer, pasi është sanksionuar ruajta e sekretit tregtar, pa bërë publike të dhëna mbi sasinë dhe çmimin me të cilin është blerë.
CoronaVac njihet si vaksina Sinovac për Covid-19 dhe është një vaksinë kundër koronavirusit Covid-19. Ajo është zhvilluar nga një kompani kineze të quajtur Sinovac Biotech. Faza e tretë e testeve klinike të kësaj vaksine është kryer në disa shtete si Brazili, Kili, Indonezia, Filipinet dhe Turqi.
Shqipëria aktualisht po përdor edhe 3 lloje të tjera vaksinash si ajo e Pfizer, AstraZeneca dhe Sputnik V.