Pandemia e koronavirusit e ka shënuar pikun e saj në fillim të dhjetorit kur edhe kapi shifrën rekord me 879 raste të infektuarish në 24 orë.
Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja, në një intervistë për Tv Klan pohon se piku ka kaluar, ndërsa i frikësohet një tjetër vale infektimesh në dy muajt e parë të 2021.
“Pikun e valës së dytë e kishim në fillim të muajit Dhjetor. Fatmirësisht në dy javët e fundit kishim ulje të incidencës. Unë shpresoj vetëm që në vazhdim, janari dhe shkurti të mos na sjellë një valë shumë të fortë”.
Ulja e numrit të rasteve të reja në fundvit dhe nisjen e 2021 sipas Dajës është reflektim i sjelljes së qytetarëve në dy javët e para të dhjetorit, ndërsa pasojat e festimeve i presim tani.
“Nëse do të shikoni në të gjithë vendet e Europës numri i rasteve ka filluar të rritet. Të rinjtë kanë vazhduar të mblidhen, lokalet pavarësisht se janë ndaluar, shpeshherë mund të kenë qenë dhe të hapura. Ndoshta në janar dhe shkurt mund të kemi përsëri një rritje të numrit të rasteve dhe një përhapje të virusit, sepse në dy javët e fundit të dhjetorit qendrat tregtare kanë qenë të mbushura, njerëzit kanë shëtitur, janë takuar me njëri-tjetrin”.
Ekspertët kërkojnë prej qytetarëve që të mos neglizhojnë masat pasi koronavirusi është prezent dhe rrezikon të përhapet me shpejtësi.