Shqipëria mposhti për herë të parë në histori Ukrainën. Kuqezinjtë triumfuan me përmbysje, me rezultatin 2-1, duke nisur Ligën e Kombeve me këmbën e mbarë.
Djemtë e teknikut Sylvinho dhuruan një performancë emocionuese përballë Ukrainës, në ndeshjen e vlefshme për Ligën B, luajtur në “Epet Arena” të Pragës.
Në pjesën e parë kuqezinjtë patën të paktën 3 raste shënimi me Laçin, Asllanin dhe Manajn, por pa mundur të finalizonin.
Ukraina ishte thuajse e përgjumur, por u zgjua me nisjen e pjesës së dytë ku gjeti golin e parë të kësaj sfide me Konoplya. Mbrojtësi i djathtë i ukrainasve gjeti të papërgatitur mbrojtjen duke shënuar në minutën e ’49 të sfidës.
Golit të tij Shqipëria iu përgjigj shumë shpejt. Kuqezinjtë nisën të sulmonin dhe në vetëm 5 minuta ia dolën të barazonin sfidën me Ardian Ismajlin, i cili në minutën e ’55 dërgoi në rrjet një top të ardhur nga goditja e këndit.
Pas golit të barazimit kuqezinjtë vendosën diktatin në lojë dhe në minutën e ’66 arritën të gjejnë golin që përmbysi sfidën. Pas një qarkullimi perfekt të topit nga e majta, Rei Manaj u fut bukur në zonë dhe më pas asistoi mrekullisht brenda zonës Asanin që erdhi furishëm nga krahu i djathtë i sulmit dhe dërgoi topin në rrjetë.
Shqipëria fiton kështu me rezultatin 2-1 sfidën e parë në grup dhe pret të martën në mbrëmje Gjeorgjinë në “Air Albania”, me kuqezinjtë që rikthehen të luajnë para publikut të tyre në Tiranë.