“Urime për iniciativën dhe promovimin, por s’ka ende rrugë Shqipëria… Vetëm “lotet” e Ballukut dëgjojmë dhe rrugë nuk shikojmë”.
Ky ishte komenti i radhës në rrjetet sociale ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili vendosi t’i përgjigjej “Sy m’sy”. Kreu i qeverisë tha se ndryshimet nga e shkuara janë të dukshme dhe e tregojnë më së miri turistët që vijnë në Shqipëri.
“Ndërkohë të zotët e punës që organizojnë xhiron [e Italisë] nuk e dëgjojnë fare Ballukun, madje kam përshtypjen që as nuk e dinë kush është, por kur kanë ardhur vetë në Shqipëri për të parë kushtet, jo vetëm i kanë parë rrugët, por kanë bërë një vlerësim shumë pozitiv, të të gjitha kushteve, infrastrukturë, hoteleri, siguri, pastërti dhe ekipe profesionale në çdo bashki. Fjalët e tyre këto, jo të miat. Tani ç’të të them unë, kohë e çuditshme ka ardhur me disa nga ne o vëllai im shqiptar. Deri dje ishim në mos më bëj ta them, deri në fyt dhe nxeheshim me të huajt që s’na hidhnin as sytë. Ndërsa sot nuk i shohim ndryshimet që ia bëjnë “mu” dhe çuditemi me miliona e miliona të huaj që vijnë në këtë vend ku s’ka rrugë, s’ka drita, s’ka ujë, s’ka bukë dhe ku vriten njerëzit përditë rrugë më rrugë. S’di vërtetë ç’të të them për rrugët që ti i dëgjon, por nuk i sheh madje thua dëgjojmë në shumë dhe nuk i shohim në shumës sepse siç thotë populli nuk sheh syri, sheh mendja dhe nuk ka më të verbër se ai që nuk do të shikojë”, tha Rama.
Sipas Ramws, përfshirja në “Xhiron e Italisë” është certifikata e një Shqipërie të rilindur. Ndërkohë nuk ngurron t’i kthejë përgjigje komentuesit se kush është forca dhe lideri në Shqipëri që bëjnë realitet ëndrrat e pamundura sipas tij.
“Por ama di të them që përfshirja e Shqipërisë në “Giro d’Italia” është certifikata e padyshimtë e një Shqipërie të rilindur, e cila nga burim paragjykimesh dhe përçmimi për shqiptarët kudo, kurdo nëpër botë është kthyer në burim vlerësimi për të gjithë ne për Shqipërinë dhe për çdo shqiptar. Ta mendoje deri para disa vitesh “Xhiron e Italisë” në Shqipëri ishte si të shikoje një ëndërr me sy hapur, por lumë kush ka ambicien, kurajon, vullnetin, durimin të luftojë që ëndrrat me sy hapur të bëhen realitet. Sot ajo ëndërr me sy hapur është realitet sepse unë ëndërroj, besoj, luftoj dhe fitoj falë një force të madhe popullore padiskutim që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë pa të cilën asnjë ëndërr nuk bëhet dot realitet për Shqipërinë që duam për fëmijët tanë”, tha Rama.