Histori Shqipëria, fëmija që mëson të ecë

Shqipëria, fëmija që mëson të ecë

Nga Ilir Ikonomi

Një nga gjërat që bëri Princ Vidi menjëherë pas arritjes në Shqipëri ishte formimi i kabinetit.

Më 18 mars 1914, qeveria e re bëri betimin në studion e Princ Vidit, në katin e dytë të Konakut (Pallatit), ndërtesa më e madhe e Durrësit që nuk ekziston më, pikërisht në vendin ku sot ngrihet Veliera.

Shtëpia e Esat pashë Toptanit në Durrës. Majtas lart shihet kulla veneciane, që sot ekziston pa pjesën e sipërme.

Turhan pasha do të mbante edhe postin e ministrit të Jashtëm, përveç kryeministrit. Mendohej se ai ishte zgjedhur për kulturën e tij perëndimore dhe si njeri i palidhur me klikat e vendit.

Në kabinetin e ri Esat pasha u emërua ministër i Luftës. Meqenëse ministri nuk do të kishte ndonjë ushtri për të komanduar, Esati kishte kërkuar që portofolit të tij t’i shtohej edhe ministria e Brendshme.

Autoriteti i pashait ishte i padiskutueshëm, ai e njihte mirë popullin dhe vendin. Megjithatë, disa njerëz mendonin se kjo fuqi e tij ishte më tepër rrjedhojë e frikës sesa e dashurisë, prandaj, sipas tyre, akti i parë i Princit duhet të kishte qenë largimi i Esatit, si një element i rrezikshëm që mund ta ndërlikonte gjendjen.

Mirëpo Princi ose nuk mendonte kështu, ose nuk guxonte.

Anëtarët e tjerë të kabinetit ishin: Azis pashë Vrioni, ministër i Bujqësisë dhe i Minierave, Myfit bej Libohova – i Drejtësisë, Hasan bej Prishtina – i Postave, Preng Bib Doda – i Punëve Publike, Gjergj Adamidi-Frashëri – i Financave dhe Dr. Mihal Turtulli – i Arsimit dhe i Shëndetësisë.

Në emërimin e kabinetit ishte patur kujdes që të përfaqësoheshin të treja besimet: pesë myslimanë, dy ortodoksë dhe një katolik.

Esat pasha, disa nga ministrat e ardhshëm dhe personalitete të tjera, ditën e arritjes së Princ Vidit, 7 mars 1914.

Ministrat ishin njerëz që kishin jetuar kryesisht jashtë vendit, duke filluar nga Turhan pasha, i cili nuk kishte qenë në Shqipëri prej pesë dekadash.

Disa prej tyre kishin praktikuar gati gjithë jetën gjuhën turke, prandaj komunikimi për punët e qeverisë nuk mund të bëhej veçse në turqisht.

Esati do të ishte më i fuqishmi në qeverinë e re, sepse nuk kishte gjasa që Turhan pasha, ky “i jashtëm”, t’ia kalonte për nga ndikimi. Esati kishte në anën e tij të lëkundurin Myfit Libohova dhe Hasan Prishtinën e Dr. Turtullin.

Azis Vrioni me origjinë nga Berati, ndonëse ishte i afërt me Esatin, e shihte ministrin e Brendshëm si kundërshtar personal, por pa guxuar t’i dilte hapur.

Vrioni kishte qenë ministër i Financave në qeverinë e Ismail Qemalit, por pas disa muajsh kishte dhënë dorëheqjen, për të mos u ngatërruar me parregullsitë financiare të qeverisë.

Turhan pashë Përmeti, Kryeministri i qeverisë së Vidit.Ai kishte qenë guvernator i Kretës dhe ambasador i Perandorisë Osmane në Rusi.

Ndoshta njeriu me emrin më të pastër në kabinet ishte Dr. Adamidi, mjek me origjinë nga Frashëri, i cili kishte jetuar prej tri dekadash në Egjipt.

Kapiteni Duncan Heaton-Armstrong, që shërbente si sekretar privat i Princit, tregon se me t’u formuar kabineti, ministrat nisën të shpërblejnë me poste miqtë e tyre.

Anëtarët e kabinetit ndonjëherë e fillonin punën vonë pasdite dhe uleshin bashkë në shtëpinë e Esatit deri pas mesnate, duke pirë kafe dhe duhan pa fund. Shtëpia ndodhej pikërisht nën kullën veneciane, që sot shërben si pikë vrojtimi për turistët.

Në fakt, pjesa më e madhe e tyre nuk kishin zyra dhe banonin në konakun e Esatit si mysafirë.

Ministrat nuk prisnin shumë nga vetja. Turhan pashës, për shembull, i pëlqente ta krahasonte veten me një mami dhe Shqipërinë me një bebe.

Kur e kritikonin për diçka, ai përgjigjej: Ju prisni nga unë që fëmijën e posalindur ta përgatis jo vetëm për gjimnaz por edhe për universitet. Do të isha i kënaqur nëse fëmija mëson të ecë!