Falë sukseseve ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë në Nations League, Shqipëria ka arritur të fitojë tre vende në renditjen e re të FIFA-s për muajin nëntor pasi pozicionohet e 66-ta me 1360 pikë, por pavarësisht kësaj ka mbetur në vazon e 4-t për shortin e kualifikueseve të Botërorit Katar 2022 që do të hidhet në 7 dhjetor në Zyrih. Kosova ndërkohë pozicionohet e 117-ta në renditjen e FIFA-s, duke mos ndryshuar asnjë pozicion dhe do të jetë sërish në vazon e 5-të. Belgjika vazhdon të kryesojë renditjen e FIFA-s dhe është në vazon e parë.
Me Belgjikën në një vazo janë edhe Franca, Anglia, Portugalia, Spanja, Italia, Kroacia, Danimarka, Gjermania dhe Holanda. Referuar renditjes së FIFA, 45 anëtarët e tjerë të UEFA-s ndahen në vazo si më poshtë:
VAZO 2: Zvicra, Uellsi, Polonia, Suedia, Austria, Ukraina, Serbia, Turqia, Sllovakia dhe Rumania
VAZO 3: Rusia, Hungaria, Irlanda, Çekia, Norvegjia, Irlanda e Veriut, Islanda, Skocia, Greqia dhe Finlanda
VAZO 4: Bosnje Hercegovina, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bullgaria, Izraeli, Bjellorusia, Gjeorgjia dhe Luksemburgu
VAZO 5: Armenia, Qipro, Ishujt Faroe, Azerbajxhani, Estonia, Kosova, Kazakistani, Lituania, Letonia dhe Andorra
VAZO 6: Malta, Moldavia, Lihtenshtejni, Gjibraltari dhe San Marino
Në shortin e eliminatoreve të Katar 2022 për zonën europiane që do të hidhet më 7 dhjetor në Zyrih, 5 grupe do të jenë me nga 6 skuadra dhe 5 grupe të tjera me nga 5 skuadra.