Në Elbasan Arena triumfon Shqipëria. U mbyll me suksesin 2-1 miqësorja vëllazërore mes kuqezinjve dhe Kosovës, me skuadrën e Edy Rejas që iu fal një super Myrto Uzuni i kthyer më i fortë se kurrë pas shërimit nga COVID-19. Një asist fillimisht për Bekim Balajn dhe më pas goli i parë i beratasit me kombëtaren i dha epërsinë e dyfishtë Shqipërisë që pavarësisht golit të Muriqit me 11-metërsh pak para fundit arriti ta fitonte këtë ndeshje që nisi me shumë risi në të dy kampet. Edy Reja për herë të parë ndërroi skemë duke e nisur me formacionin 4-3-3 me 17-vjeçarin Ramen Çepele që debutoi duke formuar dyshen e qendrës së mbrojtjes me Ismajlin, ndërsa debutime absolute patën edhe dy lojtarët e krahëve të mbrojtjes Erjon Hoxhallari dhe Albi Doka. Një fanellë titullari kishte edhe për Lindon Selahin në mesfushë.
Te Kosova ndërkohë trajneri Challandes i prekur nga koronavirusi dhe jo i pranishëm në stadium hodhi në fushë formacionin më të mirë të mundshëm ku spikaste rikthimi i Muriqit në majën e sulmit i mbështetur nga Celina, Bernard Berisha e Lirim Kastrati. Ndeshja nisi më mirë për Kosovën që kishte më shumë iniciativë në minutat e para, por me kalimin e minutave Shqipëria nisi të shohë nga porta e Muriç duke zhbllokuar shifrat në minutën e 31-të me Bekim Balajn që shfrytëzoi asistin perfekt të Uzunit. Në fillimin e pjesës së dytë të dy trajnerët bënë nga 4 ndryshime me Rejan që hodhi në fushë emra si Manaj apo Hysaj duke shtuar eksperiencën në radhët e kuqezinjve. Në të 65-ën Shqipëria dyfishoi shifrat falë golit të parë personal me kombëtaren të Myrto Uzunit, një gol shumë i bukur i futbollistit të Ferencvaros.
Golin e vetëm të Kosovës e realizoi Muriqi në minutën e 85-të me një penallti të fituar nga vetë ai dhe të shkaktuar nga 17-vjeçari Çepele që deri në ato momente ishte treguar si një veteran i vërtetë në fushë.
Tashmë vëmendja e të dyja përfaqësueseje pas kësaj vëllazëroreje shkon te sfidat që kanë në Nations League.