Shqipëria është futur sërish në listën gri të pastrimit të parave, nga e cila kishte dalë në vitin 2015. Lajmi u dha nga Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. Në këtë listë përfshihen juridiksionet që kanë mungesa strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë si dhe janë nën monitorim të shtuar.
Njoftimi u bë sot (21 shkurt) nga Financial Action Task Force (FATF), që publikoi listën e subjekteve nën monitorim të zgjeruar. Vendet e reja që janë subjekt i monitorimit janë Shqipëria, Barbados, Xhamajka, Mauritius, Myanmar, Nikaragua, Uganda. Shqipëria është e vetmja nga Europa që shfaqet në këtë listë, së bashku me Islandën.
Në njoftim thuhet se juridiksionet nën monitorim të shtuar po punojnë në mënyrë aktive me FATF për të adresuar mangësitë strategjike në regjimet e tyre për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit. Kur FATF vendos një juridiksion nën monitorim të shtuar, kjo do të thotë se vendi është angazhuar të zgjidhë me shpejtësi mangësitë e identifikuara strategjike brenda afateve të pranuara dhe i nënshtrohet një monitorimi të shtuar. Kjo listë shpesh referohet si ‘lista gri’, thuhet në njoftimin zyrtar.
Raporti përmend vullnetin e mirë të Shqipërisë për të adresuar problemet.
Shqipëria ka qenë në këtë listë në periudhën 2011-2015 dhe kishte dalë nga lista në 2015-n.