Kryesore Shqipëria humb edhe miqësoren e dytë, por jep shenja pozitive në Stokholm

Shqipëria humb edhe miqësoren e dytë, por jep shenja pozitive në Stokholm

Shqipëria është mundur me rezultatin minimal 1-0 dhe në ndeshjen e dytë miqësore përballë Suedisë që u zhvillua në Stokholm.

Një ndeshje e barabartë në lojë dhe po ashtu në raste, por që në fund përfundoi me fitoren e vendasve. Shqipëria tregoi shenja jete dhe arriti të krijojë lojë në këtë takim, ndonëse sulmi dështoi të konkretizojë rastet e krijuara.

Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 62 të takimit nga Nilson pas një krosi të gjatë në zonë nga Kulusefski.

Të kuqtë patën disa raste për të barazuar për rezultatin, por Broja tregoi edhe njëherë se ka ende nevojë për minuta në këmbët e tij për të tejkaluar ngërçin pas dëmtimit.

Këto dy ndeshje miqësore të Marsit kombëtarja e mbyll me një bilanc shumë negativ me 4 gola të pësuar dhe asnjë të shënuar. 4 gola të pësuar skuadra e drejtuar nga Sylvinho i pati në 8 ndeshje të kualifikueseve për Euro 2024, duke treguar në këtë mënyrë një gjendje jo të mirë në repartin defansiv. Njëjtë edhe për atë ofensiv teksa as Manaj dhe as Broja nuk kanë mundur të shënojnë në këto dy sfida.

Megjithatë vlen të theksohet se Broja këtë të hënë pati një paraqitje të mirë duke krijuar disa raste dhe duke krijuar panik në mbrojtjen e Suedisë. Hyrje shumë të mirë në lojë pati edhe Muçolli në ato minuta që u aktivizua.

Tashmë sytë janë në Qershor ku Shqipëria do të ndeshet me Lihtenshtajnin dhe Azerbajxhanin. Këto sfida vijnë para Euro 2024, ku edhe Sylvinho duhet të përcaktojë 23 lojtarët që do të marrë me vete në Gjermani.