Kryeministri Edi Rama ka uruar Giorgia Meloni për postin e kryeministres së Italisë.
Në një postim në Twitter, kreu i qeverisë shqiptare shkruan: “Urime gruas së parë të thirrur nga populli për të udhëhequr Italinë, një vend të cilit Shqipëria i detyrohet shumë dhe me të cilin na lidh një miqësi e lashtë dhe vëllazërore, e cila ka frymëzuar gjithmonë marrëdhëniet mes qeverive tona. Paç fat Giorgia Meloni”.
Giorgia Meloni mori dje detyrën nga presidenti Sergio Mattarella për të formuar qeverinë e re dhe pritet që ajo të bëjë historinë në disa aspekte.
Ajo do të jetë gruaja e parë që do të qeverisë republikën dhe e para grua që vjen nga radhët e post-fashizmit, që nga fundi i Luftës II Botërore.