Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vlerësuar ndihmën e Shqipërisë ndaj Kosovës në fushën e energjisë në dy ditët e ndërrimit të viteve.
Në një konferencë me gazetarët në Prishtinë, Kurti theksoi se kjo ndihmë është e veçantë për arsye, sikurse u shpreh, se edhe vetë Shqipëria përballet me kushtet e vështira energjetike.
Nga ana tjetër, Kryeministri i Kosovës vlerësoi se gjatë Verës do të jetë Kosova që do të ndihmojë Shqipërinë me energji në rast nevoje.
“Ne e falënderojmë kryeministrin Edi Rama për mbështetjen. Ministrja jonë e Ekonomisë e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Shqipërisë. Kemi termocentrale, ata kanë hidrocentrale. Bëhet fjalë për dy ditë që janë të rëndësishme sepse janë të ndërrimit të viteve dhe pastaj edhe ne do kemi mundësi t’i ndihmojmë në raste nevoje verën e vitit të ardhshëm. Kjo ndihmë është e veçantë sepse edhe Shqipëria vetë nuk i ka punët mirë. Në kushtet e vështirësisë së saj ka shprehur gatishmëri që është për t’u falenderuar e vlerësuar”, u shpreh Kurti.
Shqipëria ka vendosur që të ndihmojë me energji elektrike pa kosto financiare Kosovën për datat 31 Dhjetor dhe 1 Janar. Kosova është duke u përballur me situatë të vështirë të krizës energjetike, që shkaktojnë ndërprerje të furnizimit me disa orë në ditë.