Politika “Shqipëria konkurron Italinë për turizëm”, Rama për televizionin italian: Disa gazeta e...

“Shqipëria konkurron Italinë për turizëm”, Rama për televizionin italian: Disa gazeta e kanë ekzagjeruar

Në lidhje direkte për televizionin italian La7, në emisionin “In Onda”, kryeministri Edi Rama foli për turizmin në Shqipëri dhe turistët italianë në vendin tonë.

“Kemi vuajtur shumë vite stigmën që kemi pasur kur kemi qenë ata që vinin me anije në Itali. Ka qenë shumë e vështirë, por tani gjërat kanë ndryshuar pasi vendi ka ndryshuar. Është fantastike sepse nuk kemi shpenzuar duke paguar reklama nëpër televizione anembanë Evropës. Shpresoj që ky sukses të na ndihmojë të ecim përpara me këmbë në tokë sepse duhet thënë që disa gazeta italiane edhe e kanë ekzagjeruar, duke thënë që po konkurrojmë Italinë”, tha Rama.

Në lidhje me miqësinë e tij me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Rama u përgjigj:

“Unë jam i gjatë, ajo jo shumë e gjatë, por kur flet ajo dhe merr qëndrim, është edhe më e gjatë se unë. Ajo është e djathtë, por edhe unë i përkas një të majte ndryshe, që është e linjës së Blair, Clinton apo edhe Romano Prodi. Unë mendoj që në marrëdhëniet ndërkombëtare politike ka diçka më të rëndësishme, që është ana njerëzore e personave. Nga ana tjetër, duhet të kujtoj që në 30 vitet e fundit, në Itali ka pasur qeveri të ndryshme, por kurrë marrëdhëniet tona nuk janë përcaktuar nga ngjyra e qeverive në Romë apo Tiranë. Ka pasur gjithmonë sintoni mes nesh, është çështje historie dhe një ADN-je të përbashkët”.