Kulturë Shqipëria kualifikohet për në finalen e Eurovision 2023

Shqipëria kualifikohet për në finalen e Eurovision 2023

Shqipëria është kualifikuar e para për në finalen e Eurovisionit në Liverpool.

Pas performancës elektrizuese në natën e dytë gjysmëfinale, Albina dhe familja Kelmendi ia dolën që ta çojnë vendin tonë në finalen e madhe që do të mbahet të shtunën, më 13 maj.

Në këtë natë të dytë të gjysmëfinales, kënga me titullin ‘Duje’ u performua në gjuhën shqipe dhe ishte e 14-ta në radhë.

Skenografia ishte përshtatur me ngjyrat kuqezi, ndërsa nuk mungoi edhe flamuri kuqezi.

Performanca plot emocion e familjes Kelmendi rrëmbeu duartrokitjet e të pranishmëve në sallë.

Mesazhi ishte mjaft i qartë: “Paqja në botë vjen kur duam familjen”, ka theksuar Albina, para se të ngjitej në skenë.

Festivali i këtij viti mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të pamundësisë për ta organizuar në Ukrainë, e cila fitoi në vitin 2022.