Shqipëria do të ngrejë në nivel ambasade përfaqësimin e saj në Australi. Vendimi është marrë në Këshillin e Ministrave dhe është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Ai thotë se rëndësia e këtij vendimi qëndron në rrafshin politik dhe diplomatik.
“Një lajm fantastik për diplomacinë e Shqipërisë. Më parë, marrëdhëniet diplomatike të Republikës të Shqipërisë me Australinë dhe disa prej vendeve të Azisë dhe Paqësorit janë mbuluar nga Ambasada në Pekin. Hapja e Ambasadës në Kanberra do të mundësojë intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike, politike dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Australisë,” shkruan në një postim në Facebook Cakaj.
Cakaj thotë se kjo ambasadë do të ketë një funksion shumë të rëndësishëm edhe në ofrimin e shërbimeve konsullore për shqiptarët në Australi dhe jo vetëm.
“Sipas pritjeve paraprake, Ambasada në Kanberra do të ofrojë afërsisht 4000-5000 praktika konsullore brenda një viti kalendarik. Pra, gjykuar nga rëndësia politike, strategjike, diplomatike e konsullore, hapja e Ambasadës së Shqipërisë në Kanberra të Australisë ka një peshë të patjetërsueshme,” shkruan Cakaj.
Ai njofton se shumë shpejt do të ketë veprime të ngjashme në hapësira të tjera, për ta bërë Shqipërinë më të pranishme nëpër botë, në shërbim të interesave strategjike dhe të qytetarëve.