Edhe pasditen e kësaj të diele, Sali Berisha ka folur nga ballkoni i banesës për mbështetësit e tij, aty ku është duke qëndruar në arrest shtëpie që prej 31 dhjetorit të vitit të kaluar.
Berisha është shprehur se Shqipëria ndodhet në një situatë të rëndë. Ai e krahasoi vendin me Rusinë e Putinit e Bjellorusinë e Lukashenkos, duke thënë se aktualisht tre drejtuesit kryesorë të opozitës në Shqipëri janë të arrestuar ose në procese politike.
“Protesta juaj është protestë ndaj një regjimi që bazohet në lidhjet e krimit, drogës dhe vjedhjes. I cili rikthej burgjet politike. Rikthej burgosjet dhe dënimet politike.
Por të dashur miq!
Njëlloj sikundër diktatura komuniste, që kishte papagajtë e saj.
Njëlloj si diktatura që kishte të indoktrinuarit dhe automatet e saj, diktatura e krimit dhe mafies, e drogës dhe bandave, ka dhe ajo papagajtë e vet, ka dhe ajo lakejtë e vet, ka dhe ajo kriptoavoketërit e vet, të cilët nga mëngjesi në darkë mashtrojnë, mashtrojnë dhe vetëm mashtrojnë qytetarët.
Të cilët u servirin për sukses, suksese imagjinare dhe mbulojnë me to dështimet dramatike. Mbulojnë me to asgjësimin e votës së lirë.
Mbulojnë me to zbrazjen e tmerrshme të Shqipërisë si kurrë ndonjëherë në histori.
Mbulojnë me to varfërimin e frikshëm të shqiptarëve.
Ju qëndroni, nuk dorëzoheni, ju qëndroni të pamposhtur sepse nuk mund të pranoni një Shqipëri e cila sot është vendi i vetëm në Europë, tejkalon Rusinë e Putinit, tejkalon Bjellorusinë e Llukashenkos, me tre drejtuesit kryesorë të opozitës të arrestuar ose në procese politike.
Kjo ndodh vetëm në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër.
Por kjo çfarë është?
Këto janë akte madhore, kazëm në themel të kushtetutës, vetëm e vetëm për ti caktuar opozitës kryetarin që do Edi Rama.
Vetëm e vetëm që opozita të ketë një kukull peqe lepe dhe sovraniteti i këtij vendit të shkelmohet nga mafia ndërkombëtare dhe mafia shqiptare”, u shpreh Berisha.