Shqipëria ka marrë drejtimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së këtë 1 qershor për ta vijuar për një muaj.
Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale me rastin e marrjes së kryesimit nga ana e Shqipërisë.
Kreu i qeverisë shprehet se në Europë plagët e luftërave janë ende të hapur, ndërsa shton se lidhur me luftën në Ukrainë, duhet reagim i menjëhershëm për shmangien e viktimave të panumërta nga konfliktet e pakuptimta.
Po ashtu, Rama shprehet se Shqipëria është tashmë e privilegjuar që mund t’u japë zë bindjeve të saj dhe “ta drejtojë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort.”
Ditën e djeshme, Rama zhvilloi një takim zyrtar me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për programin dhe përparësitë e presidencës shqiptare të Këshillit të Sigurisë së OKB-së.
Vitin e kaluar, Shqipëria u zgjodh anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për vitin 2022-2023. Në votim morën pjesë 190 shtete, ndërsa 175 prej tyre u shprehën pro Shqipërisë.