Shqipëria nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në Rejkjavik përballë Islandës. Kuqezinjtë e Edi Rejës e nisën me një barazim aventurën në grupin 2 të Ligës B në Nations League, aty ku do të sfidojmë Izraelin katër ditë më vonë në “Air Albania”.
Taulant Seferi zhbllokoi takimin pas gjysmë ore lojë, por një gafë e mbrojtjes tonë solli golin e barazimit nga ana e Jon Dagur Thorsteinsson në minutën e 49-të.
Shqipëria shfaqi dëshirë, dominoi ndeshjen dhe pati disa mundësi të mira për të shënuar golin e fitores, por mungoi cinizmi dhe finalizimi, teksa nuk munguan gabimet në momentet vendimtare. Ekipi kombëtar tentoi deri në fund fitoren, por duhet të mjaftohet me një pikë në transfertën nordike.