Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Armenisë më 7 Tetor. Lajmin e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit përmes një njoftimi për shtyp. Ndeshja pritet të luhet në kryeqytetin armen, Jerevan.
Përveç kësaj miqësoreje, po në muajin Tetor, kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe dy ndeshje të tjera. Bëhet fjalë për Kazakistanin më 10 Tetor dhe Lituaninë më 13 Tetor. Këto dy ndeshje do të jenë zyrtare dhe do të vlejnë për UEFA Nations League.
Sa i përket Armenisë, kombëtarja jonë është përballur gjithsej 5 herë ndaj tyre. Ndeshja e parë është luajtur më 9 Nëntor të 1996 e vlefshme për Eliminatoret e “Francë 1998”.
Ndeshja e fundit e luajtur ndaj kësaj skuadre është më 11 Tetor të 2015-s. Këtë ndeshje e mbajnë mend mirë tifozët shqiptarë pasi fitorja 3 me 0 ndaj tyre na siguroi kualifikimin për në finalet e “Euro 2016”.