Kombëtarja do të luajë me Suedinë një miqësore më 25 mars në Stokholm si pjesë e përgatitjeve për finalet e Euro 2024. FSHF arriti marrëveshjen dhe mbetet të vendoset vetëm orari i takimit që do të jetë i gjashti mes dy përfaqësueseve.
Shqipëria në 5 përballjet e mëparshme me Suedinë ka 1 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje. Një mundësi për trajnerin Sylvinho që të shikojë gjendjen e futbollistëve pak muaj para Euro 2024 ku Kombëtarja është në grup me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.
FSHF po punon për të gjetur edhe një tjetër miqësore në muajin mars. Suedia nga ana e saj po nis një cikël të ri pas dorëheqjes së Janne Andersson, pasi dështoi ta kualifikonte skuadrën në finalet e Euro 2024.
Për momentin drejtimin e ka Daniel Backstram, i cili është edhe trajneri i 21-vjeçarëve, i cili debutoi më 12 janar në miqësoren e fituar 2–1 ndaj Estonisë.