“Festivali Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” e ka futur Shqipërinë në hartën botërore të ngjarjeve të muzikës operistike”.
Kështu deklaroi dje, kryeministri Edi Rama, ndërsa uroi pjesëmarrësit, finalistë dhe organizatorët për klasin e lartë të këtij aktiviteti tanimë tradicional.
Fitues i Çmimit të parë, “Marie Kraja” është bass-i Dongho Kim nga Korea e Jugut. Fituese e Çmimit të dytë, mezzosoprano Ezgi Karakaya nga Turqia. Fitues të Çmimit të tretë, me pikë të barabarta, soprano Nina Muho nga Shqipëria dhe baritoni Faik Mansu nga Turqia.
Ndërsa fitues i Çmimit “Song prize”, dhënë nga Orkestra e TKOB u shpall tenori, Kirill Matiev nga Rusia.
Në edicionin e 17-të të Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” morën pjesë 15 konkurrentë të përzgjedhur mes 270 artistëve nga vende të ndryshme të botës.
Konkurrentët pjesëmarrës në këtë Festival ishin nga vende të ndryshme të botës si: Itali, Spanjë, Rusi, Ukrainë, Turqi, Kinë, Kore, Shqipëri, Francë dhe Greqi.