Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se që nga dita e sotme do të ndalohet lëvizja me këmbë pas orës 18:00. Ndërkohë nga nesër do të hyjnë në fuqi gjobat për këmbësorët pas orës 18:00, si dhe për personat që ulen në parqe apo mjedise të hapura.
“Duke nisur nga sot, çdo ditë në vijim pas orës 18.00 do të ndalohet edhe lëvizja me këmbë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë! Nga nesër, me urdhër të Ministres së Shëndetësisë do të hyjnë në fuqi gjoba edhe për këmbësorët pas orës 18.00 dhe në çdo orë të ditës për ata që ulen në parqe apo mjedise të tjera të hapura!
Ndjesë 1000 herë, po s’ka rrugë tjetër për ta fituar këtë luftë, ku askush përveç atyre që shërbejnë në strukturat kritike të shtetit dhe atyre që punojnë në hallkat themelore të zinxhirit ekonomik të vendit, nuk duhet të dalë nga shtëpia përveçse për nevojat bazë të furnizimit me ushqim apo ilaçe!
Shëtitjet nuk janë domosdoshmëri jetike në këtë kohë lufte dhe uljet nëpër parqe janë të palejueshme! më shani e talluni me mua sa të doni, s’ka asnjë problem, po mos diskutoni dhe aq më keq thyeni rregullat!”, shkruan Rama në Facebook.