Nga Ohri, ku ndodhet në samitin e Ballkanit të Hapur, kryeministri Edi Rama ka lëshuar kritika të forta ndaj Bashkimit Europian dhe Bullgarisë, e cila po pengon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit shqiptar pa kursyer ironinë, tha se është koha për t’i dhënë fund stresit të anëtarësimit në BE. Duke i qëndruar krahasimit të dasmës, ku BE-ja është nusja dhe Ballkani i Hapur është burrë apo dhëndri me probleme, ai tha se edhe Bullgaria është njësoj si ne.
“Dy fjalë për BE-në. Sa herë afrohet Këshilli Europian, është njësoj sikur përgatitemi për dasmë. Shqipëria nuk përgatitet më për dasmë. Do të shkojmë me rroba të rastit, nuk do të shpenzojmë në pritje që të vijnë krushqit, në fund ngelemi me nusen në derë se nuk vjen dhëndri, apo më keq akoma kur ngel dhëndri në derë. Ballkani i Hapur është burrë, BE-ja është nusja, kjo është më keq për ne se po të ishte nusja do na merrnin më shpejt, por ne e kemi shumë të qartë rrugën tonë. Të ndërtojmë funksionimin e shtetit, ekonomisë e gjithçka tjetër. Prandaj u them miqve në RMV, mos e merrni me stres këtë punën e dasmës. Nuk ju marrin, ka mbaruar kjo punë, ka dalë Bullgaria që është burrë për vete. Me probleme na ka dalë Bullgaria. Ne shqiptarët jemi në rregull, si të duan. Është koha t’i jepni fund këtij stresi, rëndësi ka të bëjmë këtu gjërat dhe pastaj Bullgaria kur të mërzitet me këtë kukull, do të gjejë kukull tjetër. Kur shkoja në Bruksel më parë, merrja kurajo, kurse tani më duket sikur do t’u jap kurajo atyre sot. Më vjen keq kur i shoh ata! Shkojmë atje se do u japim energji. Serbia nuk do të ikë në ndonjë planet tjetër. RMV jo, as Bosnja. Ne shqiptarët këtu jemi. Ne jemi këtu, BE na bëjnë ata, po “e-në” europianë e kemi vetë”.