Task Forca shëndetësore vijon të japë deklarata qetësuese për qytetarët, duke konfirmuar se në vend nuk ka asnjë person të prekur me koronavirus.
Në komunikimin e së shtunës, specialistët bënë një panorama të situatës, ku saktësuan dhe për hapat e mëtejshëm që po ndërmerren për një mirëmenaxhim, jo vetëm në rast të konstatimit me Covid-19, por dhe të gripit sezonal.
“Nuk po testojmë vetëm personat që kanë histori udhëtimi, por edhe personat që kanë shenja të sëmundjes së rëndë respiratore, që kërkon shtrim në spital dhe që nuk kanë një shkak tjetër që shpjegon këtë sëmundje. Aktualisht, ne jemi në periudhë sezoni të gripit. Në lidhje me Covid-19, ne përdorim të njëjtat sisteme që monitorojmë gripin. Për momentin ne nuk kemi grumbullime, siç ka në disa vende. Italia është një histori tjetër, pasi ka një përmasë shumë të lartë. Sa i përket sezonit të gripit, trendi është në ulje”, është shprehur shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino.