Kreu i diplomacisë helene Georgos Gerapetritis, në një intervistë për kanalin shtetëror ERT është ndalur gjatë në të gjitha çështjet aktuale të diplomacisë greke, duke i dhënë një rëndësi të veçantë çështjes së Fredi Belerit, i cili gjendet që nga data 12 maj në qelitë e paraburgimit i akuzuar për blerje votash.
Sipas kryediplomatit grek, mbajtja në paraburgim e Belerit nga autoritetet shqiptare, është akt i paligjshëm dhe cënon shtetin e së drejtës. Madje Gerapetritis flet për një autogol të Tiranës zyrtare e cila me këtë sjellje mund të frenohet ne rrugën drejt BE-së.
“Qeveria jonë që në fillim ka ndërmarrë një sërë nismash jo vetëm për lirimin e tij por edhe për krijimin e mundësisë që të bëj betimin. Kemi vënë në dukje se këto pengesa çojnë në një tension të përshkallëzuar. Me mënyrën se si funksionon, pala shqiptare me siguri po bën autogol.
Heqja e mandatit të Belerit si kryebashkiak i Himarës do të nënkuptonte një përkeqësim serioz të marrëdhënieve greko-shqiptare. Nuk ka sesi të vijojë procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE kur ka një shkelje të tillë të shtetit ligjor dhe prezumimit të pafajësisë së Fredi Belerit”, tha Gerapetritis.
Duke thënë se mënyra e trajtimit të çështjes përbën një pengesë serioze në rrugën e Shqipërisë drejt familjes europiane, ministri i Jashtëm grek shtoi se tensioni i krijuar nuk është aspak i dobishëm për vendin fqinj.
Nëse Fredi Beleri nuk betohet ne afatin gjashtë mujor që përcakton legjislacioni shqiptar ai e humbet automatikisht mandatin e kryebashkiakut të Himarës.