Frika e një vale të re të infektimeve me koronavirus në rajonin e Toskanës ka bërë që guvernatori Enrico Rossi t’i kërkojë qeverisë një ndërhyrje të menjëhershme për të bllokuar hyrjen e të huajve në vend. Frika është rritur pasi në 24 orët e fundit në këtë rajon janë identifikuar 16 raste të reja nga të cilët 13 ishin të sapokthyer nga Tirana dhe 1 nga Ekuadori.
Ndërsa javën e fundit kanë qenë 32 infeksione, nga të cilat 27 nga Tirana.
“Qeveria duhet të ndërhyjë: në veçanti ministria e Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë”, – kërkon urgjentisht Rossi duke sjellë në vëmendje udhëtimet nga aeroportet e Pizës dhe Firencës.
“Nëse gjurmimi i pasagjerëve dhe mbikëqyrja aktive e tyre nuk është e mundur, ka vetëm një mundësi: bllokimin e fluturimeve direkte”, – kërcënon guvernatori i Toskanës, siç Italia ka bërë së fundmi me fluturimet vijnë edhe nga Bangladeshi, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.
Rossi tha se ka kontaktuar menjëherë konsullatat e Perusë, Bangladeshit dhe Shqipërisë. Ai u ka kërkuar që udhëtarët që vijnë nga këto vende të karantinoren për 14 ditë pas hyrjes në Itali.
Toskana ka vendosur pikat e pritjes dhe kontrollit për të gjithë udhëtarët që vijnë nga vendet jashtë BE-së në aeroportet e Pizës dhe Firences. Në këto qendra do të jetë e mundur të kryhen testet shëndetësore të nevojshme për të parandaluar një infeksion të mundshëm nga Covid-19.