Qeveria po përgatitet që hapja e bizneseve, edhe të atyre që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e koronavirusit të ndodhë brenda një afati kohor të afërt.
Kryeministri Edi Rama nuk dha afate, por foli për ngritjen e një task force që do të mbikëqyrë zbatimin e protokolleve të sigurisë edhe tek bizneset që vlerësohen si aktivitetet me rrezikshmëri të lartë përhapjeje të virusit, si baret dhe restorantet.
“Nga java e ardhshme do të ngremë një task forcë antiCovid që do të jetë me bërthamë qendrore në Kryeministri dhe me bërthama rajonale dhe territor, që do të ndjekin nga afër ekzekutimin e standardeve të vendosura në protokolle për ata që ushtrojnë një aktivitet biznesi të lejuar”, tha Rama.
Rama tha se aktualisht ka një protokoll të përgjithshëm dhe shumë shpejt do të jenë gati protokollet e sigurisë specifike sipas rrezikshmërisë së aktivitetit. Në bizneset e konsideruara me rrezikshmëri të lartë do të caktohet një “bluzë e bardhë” që do të ndjekë zbatimin e këtyre protokolleve të sigurisë.
“Bizneset me protokollin e kuq, pra rrezikshmëri të lartë do të kenë të atashuar një bluzë të bardhë dhe mjekët do të jenë një pjesë thelbësore e këtij procesi, që do të ndjekë zbatimin e protokollit në të gjitha detajet e tij, që të mos ketë asnjë biznes që të godasë shëndetin e njerëzve, apo punonjës të painformuar sesi duhet të sillet në mjediset e punës”, tha Rama.