Shqipëria u rikthye te fitorja në Ligën e Kombeve, pasi mposhti Gjeorgjinë, në sfidën e vlefshme për raundin e katërt.
Triumf me vuajtje për kuqezinjtë, që në një lloj mënyrë “hakmerren” për atë humbje në Tiranë një muaj më parë.
Ky sukses e ngjit Kombëtaren shqiptare në kuotën e gjashtë pikëve në vendin e tretë, po aq sa Gjeorgjia dhe Çekia e dy vendeve të para.
Ndeshja nisi vrullshëm në fillim, me raste të shumta në të dyja portat.
Pjesa e dytë nisi menjëherë me gol për Shqipërinë. Në minutën e 48-të, Kristjan Asllani pas një kombinimi me Tucin, ia doli ta dërgojë topin në rrjetë me një gjuajtje të fortë.
Ky gol i dha besim Shqipërisë, që krijoi edhe disa raste të tjera, me Bajramin dy herë dhe me Dakun, por topi nuk shkoi në rrjetë. Në minutat e fundit, Gjeorgjia shtoi presionin, por Ajeti dhe Strakosha mbajtën portën të paprekur në dy raste.
Vlen të përmendet se kjo është një fitore historike për Shqipërinë, që triumfon për herë të parë në Gjeorgji.