Pas humbjes vetëm në minutat e fundit në Spanjë, 1-2 të shtunën përballë përfaqësueses vendase, Kombëtarja kuqezi ka luajtur të martën miqësoren e dytë të këtij fundmarsi, teksa ka zbritur në fushën e blertë të Stadiumit “Arena Kombëtare” për t’u përballur me Gjeorgjinë.
Trajneri italian i kuqezinjve, Edoardo Reja, bëri një numër ndryshimesh në 11-shen e parë krahasuar me ndeshjen e së shtunës me iberikët.
Pjesa e parë e ndeshjes ka parë Shqipërinë të bëjë një vëllim më të madh loje, duke e tentuar gjithnjë e më tepër portën kundërshtare, me miqtë që luajnë kryesisht të tërhequr dhe synojnë goditjen me kundërsulme.
Me rrjeta të paprekura mbyllet pjesa e parë, ndërsa ajo e dytë, nis me Shqipërinë që mbizotëron dhe provon tw shwnojw gol, por pa rezultat. Në minutën e 59-të, i futuri në fushë në pjesën e dytë në vend të Brojës, Cikalleshi, që bën gjithçka mirë brenda zonës, por godet keq, ndërsa 8 më pas shërben për të sapofuturin Vrioni, por ky nuk e gjen dot kuadratin e portës mike.
20 minutat e fundit do të jenë nervoze, me trajnerin Reja që përplaset me njërin nga lojtarët miq dhe me gjeorgjianët që rrezikojnë në të 73-tën, kur Kvekveskiri godet nga larg, por Strakosha grushton, kurse në krahun tjetër, portieri mik reagon në të njëjtën mënyrë pas goditjes së Asllanit 11 minuta para fundit.
Përtej përpjekjeve, por pa sukses të Cikalleshit dhe Vrionit, nuk ka më gola në “Arenën Kombëtare” dhe Shqipëria ndalet në një barazim pa gola nga Gjeorgjia, në miqësoren e dytë të këtij muaji.