Edhe një rekordmen absolut si Cristiano Ronaldo ka tabutë e tij. Në fakt, lajmi më i rëndësishëm është se një prej “maktheve” të yllit portugez është Shqipëria.
Përfaqësuesja kuqezi është në listën e ngushtë të skuadrave, përballë CR7 ka luajtur të paktën tre ndeshje dhe nuk ka arritur të shënojë asnjëherë.
Në total janë vetëm pesë ekipe, me Shqipërinë që renditet përkrah emrave më të mëdhenj të futbollit botëror: Gjermanisë, Francës, Brazilit dhe Anglisë.
Këta janë kundërshtarët e vetëm ndaj të cilëve Cristiano nuk ka festuar asnjë gol personal, ndërsa me dy rrjetat e realizuara ndaj Suedisë, sulmuesi luzitan i ka shënuar 41 ekipeve përfaqësuese, duke grumbulluar në total 101 gola me Portugalinë.
Një rekord i vendosur në moshën 35-vjeçare, me Ronaldon që mund të bëhet golashënuesi më i mirë në arenën ndërkombëtare, pasi rekordi i iranianit Ali Daei me 109 gola të shënuar, duket një objektiv i arritshëm.