Shqipëria ka siguruar një hua prej 650 milionë eurosh me afat maturimi 10-vjeçar nga tregjet e ndërkombëtare financiare përmes Eurobondit që emëtoi këtë të enjte.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Shqipëria doli në tregjet ndërkombëtare financiare me një obligacion ndërkombëtar të ri 10-vjeçar në vlerën prej 650 milion € me një kupon prej 3.50 për qind me interes 3.75 për qind.
“Investitorët treguan besim duke shprehur interes në ofertat që kaluan 1.8 herë vlerën e kërkuar. Ky ishte një test real për ekonominë shqiptare, që rikonfirmon besimin e tregjeve në qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare edhe në kohë të vështira, pas goditjes së tërmetit dhe pandemisë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
Eurobondi u miratua disa ditë më parë në Kuvend, ndërkohë që shuma minimale e përcaktuar nga Qeveria për hua nga tregjet financiare ndërkombëtare ishte 500 milionë euro dhe maksimalja 700 milionë euro.
Transaksioni shënon rikthimin e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, duke pasuar emetimet e mëparshme të realizuara në 2015 dhe 2018, 2020, ku u arrit financimi me po të njëjtin kupon si në 2020, 3.5 për qind, por këtë herë me një afat maturimi jo 7-vjeçar, por 10-vjeçar.