Kryesore Shqipëria tjetër

Shqipëria tjetër

Ky është 33-vjeçari hero që hyri për të shpëtuar kolegët dhe u bllokua në magazinë. Arjan Sala babai i një djali 2-vjeçar, prej 10 vitesh punonte tek qendra tregtare “Casa Italia”. Ndërkohë, lajme prej tij presin ende bashkëshortja dhe djali i tyre i mitur, me shpresën se ende mund të jetë gjallë edhe pse ka mbi 40 orë pa asnjë shenjë prej tij.

Nga Entela Resuli

Shqipëria dhe Tirana nuk është vetëm ajo e bandave dhe e atyre që shëtisin me makina luksi. Është edhe e atyre që çohen herët në mëngjes, për të punuar një punë që i mban 10-12 orë larg familjes. Me rroga qesharake që nuk kalojnë dot muajin.

Strapacohen, pa shpërblim, pa pushim, shpesh herë duke ia u nëpërkëmbur edhe dinjitetin. Punëdhënësit nuk e respektojnë atë që e kanë marrë për të bërë punën, por e shohin si skllavin e tyre, jo si ndihmës apo aleat.

Të kapur ngushtë në këtë vorbull ku nëse nuk punon vdes, janë të detyruar të durojnë dhe të sakrifikojnë nervat, shëndetin dhe jetën e tyre.

Punojnë për të marrë frymë, se të bësh pushime apo blesh një banesë në këtë qytet ku metri katrorë i ka kaluar 1 mijë euro as nuk behet fjalë për një familje të re.

Janë të pa sigurt në punë, mund të aksidentohen dhe të vdesin, të lënë fëmijët jetim e shteti bën sikur nuk shikon, sikur nuk kupton apo sikur nuk ka përgjegjësi për jetët e njerëzve të vetë.

Nuk ka zjarrfikëse, por ndërkohë ka para për të veshur sheshe të tëra me ekrane led, ku mund të transmetohet fushata elektorale dhe ku të parët e listave dalin dhe premtojnë… parajsën.

Po a mendoni se një ditë do të shkoni në djall edhe ju me gjithë premtimet tuaja!? #arjansala