Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Klientët”, ku janë vënë në pranga 7 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
Operacioni është zhvilluar në një lokal, i cili qëndronte hapur dhe pas orës policore, për të cilin policia kishte informacione se shërbente si ambient për konsumin dhe shpërndarjen e drogës.
Në pranga kanë rënë menaxheri i lokalit Mariglen Salla 39 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe “Prishja e qetësisë publike”, Donald Cenaj 24 vjeç, Marjo Balliu 25 vjeç, Erjon Xheferri 23 vjeç, Leon Kadriu 20 vjeç, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”; Gridi Mihali 28 vjeç, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe Barsel Halilaj 30 vjeç, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik”.
Ndërkohë në gjendje të lirë është proceduar një 32-vjeçar për veprën penale “Moskallzim i krimit”.
Hetimet kanë zbuluar se lokali në menaxhimin e M. S, punonte 3 ditë të javës në kundërshtim të aktit normativ, pas orës së lejuar policore si dhe në bashkëpunim dhe me stafin e këtij lokali kryenin aktivitetin e kundërligjshëm të përdorimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ambientit të lokalit policia gjeti dhe sekuestruan një sasi dozash me lëndë narkotike kokainë, e ndarë në doza.