Shqiptarët vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes sa i takon emigrimit të paligjshëm në Britani të Madhe.
Por duket se kohët e fundit ata kanë ndryshuar strategji, duke braktisur gomonet pas kontrolleve dhe operacioneve të policisë në kanalin e La Manshit.
Për të shmangur problemet, “ofertat” që vijnë nga trafikantët bëhen përmes kalimit me kamionë dhe avionë.
Mediat angleze tregojnë mënyrat sesi shqiptarët po “thithin” klientë për t’i dërguar në mënyrë të sigurt dhe jashtëligjshme në ishull.
Sipas “Daily Mail“, shqiptarët vijojnë të pa shqetësuar që të reklamojnë “biznesin” e tyre në rrjetet sociale, e kryesisht në rrjetin “Tik Tok”, duke treguar datat e nisjes dhe detaje të tjera.
Në artikullin e botuar së fundmi, janë shfaqur disa postime të shqiptarëve në rrjetet sociale, ku thuhet se kërkojnë deri në 18 mijë paund për kalimin e sigurt drejt Britanisë, jo me gomone, por me kamionë.
“Ndryshe nga gomonet që kanë një vëmendje të shtuar gjatë kohëve të fundit, kalimi me kamion është më i lehtë”, shkruan “Daily Mail”.
Një person i paidentifikuar, i cili punon për “Daily Mail”, i ka dërguar mesazh kësaj llogarie në “Tik-Tok”, duke i kërkuar një udhëtim për 2 persona.
Çmimi i udhëtimit është 26 mijë paund. Ndërkohë një tjetër trafikant ofron udhëtime me avion me pasaporta të falsifikuara.
Pasi i publikojnë këto postime, ato fshihen brenda disa ditësh për të humbur gjurmët.
Më herët, ministri i Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Robert Jenrick përdori gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve.
“Nuk pendohem për videon, por mendoj se është e rëndësishme që të punojmë konstruktivisht me qeverinë shqiptare, siç po bëjmë”, është shprehur Jenrick i cili ka pasur dhe një debat me gazetarin britanik Nick Ferrari që e kishte ftuar në program.
Më pas, Ministria e Jashtme e Shqipërisë iu drejtua me një note proteste Britanisë së Madhe, e cila iu dorëzua ambasadorit Alastair King Smith, ku kërkohej që të shmanget gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit, duke iu referua gjuhës diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick.
Qeveria konservatore arriti një marrëveshje deportimi me Ruandën vitin e kaluar që synon të pengojë emigrantët nga përpjekjet për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar në udhëtimet e rrezikshme nëpërmjet detit.
Më shumë se 45,000 njerëz mbërritën në Britani përtej Kanalit në vitin 2022, dhe disa vdiqën në përpjekjet e tyre.