Nga Dritan Hila
Dhunimi i varrit të Mit’hat Frasherit është i disati në rradhën e përdhosjes që shqiptarët i bëjnë figurave të tyre madje edhe punës së tyre.
Filloi me hedhjen në erë të varrit të nënës së Ahmet Zogut nga partizanët e sapohyrë në Tiranë, për të vazhduar më vonë me eshtrat e Gjergj Fishtës.
Me rënien e komunizmit filloi edhe zhvarrosja e ish udhëheqësve komunistë. Kush i mban mend ato vite, kujton kronikat e televizionit të drejtuar nga Skënder Buçpapaj ku lajmet gjysmën e kohës e zinin me ç’varrime e varrime, duke e bërë RTSH një televizion të llojit të veçantë, si stacion i një agjensie funebre.
Krahas kësaj ka qenë edhe procesi i dhunimit të monumenteve. E në këtë traditë nuk mund të harrohet edhe dëmi ekonomik i miliarda dollarëve me shkatërrimin e uzinave, fabrikave, hekurudhave, magazinave, armatimit dhe strukturës së ushtrisë, për të vazhduar me atë të superstrukturës siç ka qenë ç’montimi i institucioneve.
E gjitha kjo nuk është punë fanatikësh ideologjikë. Ata që iniciojnë dhe stimulojnë shkatërrimin nuk janë injorantë. Faktikisht sot Shqipëria është një fushë ku lulëzojnë vetëm restorantet dhe kafenetë, kurse industria përfaqësohet vetëm nga një grusht oligarkësh piranja që thithin buxhetin dhe atë çfarë ka mbetur aset i këtij vendi.
Mbetja e vendit në llogoret e Luftës së II Botërore, nuk i intereson askujt tjetër vetëm atyre që janë te interesuar për shkatërrimin e këtij vendi.
Lufta e Dytë Botërore ishte një përleshje titanike që e fragmentarizoi botën edhe për dekadat që erdhën. Ishte e kuptueshme hakmarrja e fituesve ndaj të mundurve, proces i cili në botë zgjati gati dhjetë vjet. Ne shqiptarët e shtymë deri në rënien e Murit të Berlinit. Por tejzgjatja e saj në Shqipëri deri në ditët e sotme, është asgjë më shumë se e qëllimshme. Partitë politike shqiptare që tashmë nuk kanë asnjë identitet ideologjik, qënien e tyre e justifikojnë me rreshtimin në atë luftë.
“Vetëm të vdekurit e kanë parë fundin e një lufte” është një thënie e George Santayana, por në Shqipëri e kanë kthyer tokën në një vend zombish ku të vdekurit vazhdojnë të luftojnë e të mënçurit të ikin.
E nën parullën e vazhdimit të luftës, e kemi shkatërruar vendin moralisht dhe fizikisht.
Lufta botërore ka marrë fund në vitin 1945. Hesapet janë larë dhe tejlarë. Të mundurit duket të bien në paqe me veten që ishin në anën e gabuar dhe nuk mund ta fitojnë në tastierë atë që humbën në sheshbeteja. Kurse fitimtarët duhet të mbledhin mendjen e të shikojnë përpara pasi lavdia e dikurshme nuk mjafton të ndërtosh të ardhmen. Palët duhet të bien në qetësi dhe të shikon përpara pasi bota nuk i pret që të lajnë hesapet e gjyshërve. Rishikimi i personazheve të asaj kohe është momenti që të bëhet nga historianë dhe jo të hidhet si ushqim për qentë e politikës.
E shkuara duhet parë në raport me atë që personazhet e saj kanë bërë për kombin, pa harruar se asnjë prej tyre nuk është pa dritëhijet e tij, ku një herë ishte themelues i shtetit e më vonë shitës i tij, një herë çlirimtar e më vonë kasap, një herë sjellës lirie e pastaj vrasës i saj. Por kush përpiqet ta shtrijë edhe mbi monumentet dhe atë çfarë ka mbetur, ose është pijanec ose i shitur. Asnjërit nuk ia vlen t’i shkosh pas.