Shqiptarët e kanë nisur ndryshe vitin 2020. Si asnjë vit tjetër, në natën e ndërrimit të viteve deri sot në mesditë, 1 janar, nuk është shënuar asnjë ngjarje kriminale dhe asnjë aksident rrugor.
“Gjatë dhe pas natës së ndërrimit të viteve, si dhe falë qytetarisë së treguar nga qytetarët, në të gjithë vendin, gjatë natës se ndërrimit të viteve dhe deri në këto momente nuk është shënuar asnjë ngjarje kriminale, si dhe nuk është evidentuar asnjë konflikt me pasoja. Në të gjitha qarqet nuk është evidentuar asnjë aksident rrugor me pasojë jetën”, informoi sot në mesditë policia e shtetit.
Gjithashtu janë ushtruar kontrolle me dragera dhe duke marrë shkas nga numri i mjeteve në qarkullim, verifikimi i rasteve të drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit ishte minimal.
Policia e Shtetit informon se do të vijojë të jetë në gatishmëri, “Shërbim të përforcuar”, për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë festimeve në vijim.
Njoftimi i policisë mbyllet me një urim për të gjithë qytetarët gëzuar Vitin e Ri 2020, mirësi, paqe e begati e sa më shumë besim e bashkëpunim mes nesh, për të mirën e përbashkët.